Tetor 2006

TETOR 2006

Të dashur besimtarë të bashkësisë së Elbasanit, pas pushimeve verore, do ta fillojmë këtë Vit të Ri Baritor 2006 – 2007 të mbushur me Provaninë Hyjnore. Do të jetë ky një vit ku, nëpërmjet formimit, Liturgjisë së Fjalës së Zotit dhe veprimit, do të sensibilizohemi për PAJTIMIN. Në ç’kuptim? Kjo temë (e cila do të na shoqërojë edhe gjatë vitit 2007 – 2008) është shumë e gjërë! Pajtimi nuk është vetëm një Sakrament. Pajtimi është një dinamikë thelbësore për qenien njerëzore; është një veprim terapeutik të cilin duhet ta bëjmë gjithmonë në jetën tonë. Jeta në vetvete na sjell shumë plagë, dhimbje të të gjitha llojeve: mosmarrëveshje me fëmijët, fjalë me fqinjët, trauma që nga fëmijëria, vuajtje të trupit dhe drama të shpirtit, liri e kërcënuar ose e mohuar… Pra (kur lindim) hyjmë në jetë të shëndetshëm dhe dalim prej saj të arnuar (në pleqëri). Dhimbjet që përjetojmë janë të shumta, e pra, të gjitha këto realitete na lëndojnë, na japin dhimbje, vuajtje… madje kanë edhe fuqinë që të na ndryshojnë karakterin dhe bindjet që kemi… P.sh pas eksperiencës së dhimbjes, sa prej jush kanë zbuluar se janë kthyer në pesona të dhunshëm dhe të padurueshëm?!

Për këto dhe për arsye të tjera, nën dinamikën e pajtimit, duam të sensibilizohemi me veten, me të tjerët, me krijimin, me të huajin… Praktikisht, nëpërmjet disa gjesteve, nëpërmjet temave mujore, nëpërmjet formimeve të ndryshme, celebrimeve liturgjike, iniciativave të ndryshme, do të arrijmë në fund të vitit duke qenë më të ndjeshëm ndaj kësaj dinamike dhe për më tepër në duar do të kemi mjetet dhe aftësinë e nevojshme për t’i përdorur! Për atë që dëshiron, kjo do të jetë një ecje e pasur.

Le të kthehemi tek ne. Tema e muajit TETOR është “Shkojmë drejt tjetrit”. Përse është zgjedhur kjo temë? Ç’domethënie ka? Në përgjithësi ne jemi të hapur dhe mikpritës ndaj të gjithëve, madje shquhemi për mikpritjen e madhe që kemi ndaj të gjithë njerëzve, pa përjashtim! Por, ekziston një fakt. Kur mes nesh lind një mosmarrëveshje apo një konflikt, e kemi shumë të vështirë të bëjmë hapin e parë. Për shkak të krenarisë marrim një sjellje rezistence ndaj tjetrit e presim dhe pretendojmë që ta bëjë tjetrin hapin e parë drejt nesh, presim që të jetë tjetri ai që vjen e poshtërohet përpara nesh! Ky veprim është krejtësisht njerëzor! Të gjithë jemi kështu. Pikërisht për këtë arsye Zoti Jezus, me shembullin dhe Fjalën e vet, na edukon drejt kthimit, na edukon dhe na mëson të sillemi me mënyra të reja.

P.sh a ju kujtohet Jezusi dhe Samaritania? Merr Ungjillin e Gjonit dhe lexo në kapitullin e 4. Është shumë interesante se si Jezusi, i cili edhe pse e dinte se ajo grua kishte patur shumë bashkëshortë, edhe pse e dinte se ajo grua kishte shumë probleme me besimin… Është ai që e bën hapin e parë dhe i kërkon t’i japë ujë të pijë…

A ju kujtohet edhe Jezusi me Zakeun (Lk 19,1–10)? Edhe në këtë rast është Jezusi ai që merr iniciativën dhe vetëftohet në shtëpinë e Zakeut. E njëjta gjë ndodh edhe kur Jezusi takon Mateun dhe e thërret ( Lk 5,27–32; Mk 2,13–14).

Praktikisht dinamika e cila i përket këtij veprimi është edhe ajo e bariut të mirë i cili ka humbur delen dhe është ai i pari që shkon ta kërkojë, nuk pret që delja të kthehet vetë në grigjë (Lk 15,4–7; Mt 18,12–14).

Për t’u sensibilizuar që “të shkojmë drejt tjetrit”, këtë muaj do të na shoqërojnë:

  • Figura dhe shembulli i Nënë Terezës e cila asnjëherë s’ka lënë njeri të presë… e ka bërë ajo gjithmonë hapin e parë! Shihni me vëmendje: ne në mesin tonë kemi fatin të kemi një bashkësi motrash të Nënë Terezës: edhe ata nuk rrinë në shtëpi duke pritur… por shkojnë gjithmonë xhiro nëpër qytet, nëpër familje të ndryshme… Nuk presin ndihmën tonë që të bëjnë mirë… janë ata që e bëjnë hapin e parë duke i bërë mirë të tjerëve! Ky është një mësim shumë i thellë që duhet të na bëjë të mendojmë!
  • Dita Botërore e Misionit ku ne (në datë 22 tetor) do të celebrojmë edhe hapjen e Vitit tonë Baritor. Papa Benedikti XVI, për këtë rast ka shkruar një mesazh me titullin “ Dashuria, shpirti i misionit”. Papa na thotë se misioni varet nga intimiteti që krijojmë ne me Zotin dhe me Fjalën e Tij. Vetëm ai që “banon” në Zotin digjet nga zjarri i Dashurisë dhe është në gjendje “të djegë” botën. Me fjalë të tjera: nëse bota nuk ndryshon, nëse Elbasani nuk ndryshon, nëse njerëzit e pagëzuar nuk përmirësohen, atëherë është edhe faji im. Nëse unë do të isha një i krishterë i mirë që e jeton plotësisht Ungjillin, me siguri që mënyra ime e jetesës do të bindte shumë njerëz… e nëse kështu do të vepronin të gjithë të krishterët kudo që janë në botë, me siguri që do të arrinim ta kthenim botën mbarë! Problemi është se jemi ne të parët ata që ngurojmë ta hedhim hapin e parë, por presim që të jetë tjetri ai që e hedh hapin e parë në vendin tonë.
  • Gjesti. Me rastin e hapjes së Vitit Baritor 2006 – 2007 në duar do të marrim një mesazh mbi pajtimin. Gjatë Meshës së Shenjtë këtë mesazh do ta shkëmbejmë me të tjerët si shenjë që “jemi ne të parët ata që bëjnë hapin e parë drejt të tjerëve, pa i lënë të presin”.
  • Formimi Biblik. Ditën e shtunë më datë 21 tetor 2006 do të bëhet një formim biblik mbi librin e Daljes e cila do të na ndihmojë që t’i kuptojmë më mirë disa informacione të rëndësishme historike dhe disa dinamika shpirtërore dhe thelbësore, për të dalë nga vetvetja dhe për të “shkuar drejt tjetrit”.
  • Formimi Baritor. Ditën e shtunë më datë 28 tetor do të flasim mbi temën e “veprimit baritor”, pra për të kuptuar më mirë arsyen e veprimit të një të pagëzuari. Pse vepron një i pagëzuar? Përse duhet të veprojë një i pagëzuar duke mos qëndruar asnjëherë i qetë? Përse një i krishterë i pjekur duhet “të shkojë drejt tjetrit?”