Prill 2007

Maj 2007

Të dashur, me muajin maj përfundon edhe itinerari ynë baritor i shoqëruar nga tema mujore. Tashmë po ju paraqes një përmbledhje të shkurtër të temave që kemi jetuar gjatë këtyre muajve, në mënyrë që të mund të shijojmë të gjithë formimin që Zoti na ka dhuruar.
E filluam Vitin Baritor me figurën e Nënë Terezës, e cila asnjëherë s’i priti të tjerët të bënin hapin e parë, por ishte vetë e para që bënte hapin e parë, ishte ajo vetë që përveshte mëngët dhe i vihej punës! Ajo e para e kishte kuptuar se Ungjilli i kërkon çdonjërit prej nesh në vetën e parë që të veprojë dhe nuk mund t’ia kalojmë askujt tjetër përgjigjen apo veprimet tona?!
Në muajin nëntor, në mënyrë të veçantë me celebrimin e shenjtërve dhe përkujtimin e besimtarëve të vdekur kemi kuptuar se çdo person, për vetë faktin se është person, ka vlerën e vet si kur është gjallë ashtu edhe kur vdes! Për këtë arsye çdo person meriton respekt!
Krishtlindja na ka dhënë një perspektivë tjetër: çdo ndryshueshmëri nuk është një vështirësi apo një problem, por është një pasuri dhe një mundësi më tepër për t’u rritur, ndaj mikpritja e të ndryshmes është një vlerë.
E filluam vitin e ri me mesazhin e Papës mbi Paqen, nga data 18 – 25 janar 2007 kemi celebruar Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Nëpërmjet këtyre mundësive kemi kuptuar se përkatësia ndaj një grupi apo një tradite të ndryshme fetare, nuk do të thotë se duhet të jetojmë në konflikt.
Në muajin shkurt, celebrimi i 10 viteve të shugurimit të Kishës sonë dhe fillimi i Kreshmes, na kanë ndihmuar që të kuptojmë më mirë se ato që e kushtëzojnë jetën dhe shoqërinë nuk janë realitetet jashtë nesh, por realitetet tona të brendshme. Pasuria apo varfëria e një personi (e një familjeje, e një qyteti…) nuk matet nga gjërat e jashtme, por nga brendësia, nga aftësia që kemi për të qëndruar në qetësi, për të menduar, për t’u lutur, për të medituar mbi Fjalën e Zotit… për këtë është shumë e rëndësishme të pajtohemi me vetveten.
Në muajin mars jemi sensibilizuar të mësojmë të falim. Nëse dëshirojmë të rritemi si qytetarë dhe si besimtarë duhet të kalojmë mentalitetin e hakmarrjes dhe të mësojmë të japim dhe të marrim falje. Falja nuk është shenjë dobësie, por shenjë nderimi.
Në muajin prill, nëpërmjet Celebrimit të Pashkës, kemi kuptuar se të vlerësosh tjetrin dhe të flasësh mirë për tjetrin në fund të fundit është një formë konkrete promovimi njerëzor dhe promovimit të jetës.
Provania hyjnore tashmë na ofron një hap tjetër për t’u thelluar më tepër dhe është dëgjimi i tjetrit. Ç’do të thotë kjo gjë? Konkretisht do të thotë se dëshirojmë të sensibilizohemi që të dëgjojmë jo vetëm me veshë, por edhe me zemër. Një fjalë e urtë shqiptare thotë: “shqiptari nuk sheh me sy, por me tru”. Kjo është një mënyrë për të thënë të njëjtën gjë: dëshirojmë të dëgjojmë me zemër, me gjithë qenien tonë dhe jo vetëm me veshë, në mënyrë që të mund t’i ndryshojmë sjelljet tona.
Përse? Realiteti ynë jeton një situatë shumë të veçantë. Në përgjithësi nuk jemi të gatshëm t’i dëgjojmë sugjerimet apo propozimet që na bëhen nga të tjerët! Përse ndodh kjo? Këtu futen dy realitete. Realiteti i parë është se shumë njerëz flasin në mënyrë sipërfaqësore dhe shumë hiqen si profesionistë edhe pse nuk janë. Realiteti i dytë është se, të dëgjosh të tjerët do të thotë të ndryshosh jetën tënde. Këtu çështja nuk është të dëgjojmë të gjitha këshillat që na i japin të gjithë njerëzit. Bëhet fjalë për një dëgjim të thellë, aktiv dhe jo sipërfaqësor! Ç’do të thotë kjo gjë? Do të thotë se nëse ekzistojnë persona që flasin apo japin këshilla sipërfaqësore, nuk duhet t’i dëgjojmë aspak, por nga mënyra e tyre e të folurit duhet të marrim mesazhin e thellë që duan të trasmetojnë! Një shembull do të na sqarojë gjithçka. Nëse dikush më thotë: “po këtu në Kishë, s’është më si më parë… tani nuk po bëni më asgjë… nuk ka më aktivitete…”. Në këtë rast ai që dëgjon duhet të gjejë përmbajtjen e mesazhit (një ankim) dhe mesazhin e thellë që ky person do të trasmetojë. Duke qëndruar tek shembulli: ai person është ankuar, duke nxjerrë në pah një ndryshim të madh mes kohës së shkuar dhe të tashmes. Sipas këtij personi më parë kishte shumë aktivitete… ndërsa tani jo! Kush e dëgjon duhet të bëjë dy gjëra: të verifikojë lajmin e këtij personi, pra “a është e vërtetë se tani bëhen më pak aktivitete se më parë?”, nëse është e vërtetë nga se varet? Nëse nuk është e vërtetë, duhet ta ndihmojë personin të lexojë realitetin! Gjëja e dytë që duhet bërë është të marrim mesazhin e thellë që po na jep ai person. Është një person që po ankohet, pra është një person që me siguri dëshiron shumë më tepër, dëshiron më të mirën… në këtë rast në vend që ta gjykojmë apo ta kritikojmë, e vlerësojmë dhe i propozojmë që të impenjohet konkretisht pë përmirësimin që vetë personi kërkon! Me fjalë të tjera: e përfshijmë edhe personin!
Ky është dëgjimi për të cilin bëhet fjalë. Është një dëgjim që vë në punë inteligjencën time, pjekurinë time njerëzore dhe fetare, lirinë time!
Atëherë Cili është vullneti i Zotit? Zoti kërkon që të mësojmë të dëgjojmë me zemër, në mënyrë që të mund ta kuptojmë vullnetin e tij. Në ndihmë na vjen figura e Marisë, nënës së Jezusit. Ajo është shembulli konkret i besimtarit që e dëgjon Fjalën e Zotit me zemër. Maria është modeli i dëgjimit të përsosur. Në fakt, vetë Ajo, nëpërmjet dëgjimit të Fjalës së Zotit e ndryshoi projektin e vet të jetës dhe për këtë arsye u bë Nëna e Zotit!
Konkretisht cili është ndryshimi i jetës që kërkon Zoti? Për një jetë të rinovuar dhe paqësore duhet të vlerësojmë dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe të vëllait me zemër për t’i dhënë dinamizëm të re jetës sonë. Për këtë qëllim lexo nga Ungjilli pjesën e Lajmërimit (Lk 1, 26 – 38) dhe tregimin e Jezusit me doktorët e Ligjit në Tempull (Lk 2, 41 – 51)
Në muajin Maj do të na ndihmojë:

  • Motoja: Dëgjo si Maria
  • Gjesti: Litanitë me temat e muajit
  • Celebrimi i Rruzares së Shenjtë çdo ditë në bashkësi
  • Celebrimi i Ngritjes së Jezusit në qiell (20 maj)
  • Celebrimi i Rrëshajave (27 maj)

Takime të muajit maj 2007

Kisha “Shën Piu XÇdo ditë: Mëngjesorja në orën 6,30.
                                   Çdo ditë. Mesha e Shenjtë në orën 6, 45
                                   Çdo të dielë. Mesha e Shenjtë në orën 10°°
                                   Çdo të dielë Lutja e Mbrëmësores në orën 17°°

 

Celebrimi i Rruzares së Shenjtë: çdo ditë nga e Hëna në të Premte në orën 18°° sipas programit.

  • 1-4 maj, pranë Motrave Domenikane
  • 7-11 maj, pranë Motrave të Nënë Terezës
  • 14-18 maj, pranë Kolping
  • 21-25 maj, pranë motrave të Shenjtës Xhovana Antida (shkolla Infermierisë)
  • 28-31 maj, pranë Kishës Shën Piu X

5 maj, e shtunë: Formim mbi Temën Mujore: “dëgjimi i tjetrit”. Pranë Motrave të Shenjtës Xhovana Antida (ora 15,00); Domenikanet (ora 15,30); Bazilianet (ora 16,00); N. Tereza (ora 16,00).
6 maj, e Diela V e Pashkës Viti C: Mesha e Shenjtë ora 10,00. Ora 17,00: Mbrëmësorja.
12 maj, e shtunë: Formim Biblik ora 16,00.
13 maj, e Diela VI e Pashkës Viti - C- : Mesha e Shenjtë ora 10,00. Ora 17,00: Mbrëmësorja.
19 maj, e shtunë: Formim Baritor ora 16,00.
20 maj, e Dielë: Ngritja e Jezusit në qiell Viti – C -, Dita e 41a Botërore për Komunikimet Shoqërore
26 maj, e shtunë: Vigjilja e Lutjes së Rrëshajave, ora 18,00 pranë Kishës Shën Piu X.
27 maj, e Dielë: Rrëshajat, Mesha e Shenjtë ora 10,00. Ora 17,00: Mbrëmësorja.

* Këtë muaj nuk do të bëhet Mesha e Shenjtë të Enjten pasdite
* këtë muaj do të kujtojmë:

  • Festa e punëtorëve: 1 maj.
  • Dita e dëshmorëve: 5 maj.
  • Vdekja e Themelueses së motrave të “Notre Dame” (Kolping): 9 maj.
  • Festa e së Lumes Imelda: 13 maj.
  • Festa e Shën Luigji Oriones: 16 maj.
  • Festa e Shenjtës Xhovana Antida: 23 maj