Shkurt 2007

Shkurt 2007

Të dashur vëllezër e motra të bashkësisë së krishterë katolike të Elbasanit, kemi arritur në gjysmën e ecjes baritore për vitin 2006 – 2007. shkurtimisht, kjo është ecja që kemi bërë deri tani: në muajin tetor, duke hapur Vitin Baritor, me ndihmën e Nënë Terezës jemi sensibilizuar që të “shkojmë drejt tjetrit”, ta bëjmë ne hapin e parë! Në muajin nëntor, në mënyrë të veçantë me celebrimin e shenjtërve dhe përkujtimin e të vdekurve, kemi rizbuluar kuptimin e thellë të respektit për të tjerët: jemi të ndryshëm… por të gjithë kemi të njëjtin dinjitet si gjallë ashtu edhe vdekur.

Në muajin dhjetor, nëpërmjet atmosferës së Krishtlindjes, prezepit dhe prezantimeve të ndryshme në Kishë, kemi kuptuar “mirëpritjen e të ndryshmes”. Kemi kuptuar se gjërat e mëdha, të jashtëzakonshme, hyjnore… koinçidojnë me realitetet e përditshme e të thjeshta të jetës. Pikërisht për këtë arsye Jezusi ( Zoti ), nuk u mikprit: ai ishte kaq i thjeshtë sa dukej tepër i çuditshëm, shumë ndryshe nga të tjerët! Në muajin e kaluar kemi parë se përkatësia ndaj një grupi ( grupit të miqve në bar, në punë ose në lagje… ) është shumë më e fortë se të gjitha gjërat! Kemi parë se në shumë raste ne nuk sillemi sipas vërtetësisë apo gjërave që i mendojmë me të vërtetë apo sipas asaj që na mëson Ungjilli, por sipas mendimit të grupit të cilit i përkasim ose në një farë mënyre, duhet t’i japim llogari!! P.sh: çfarë do të thonë miqtë e mi nëse e dinë se unë nuk e rrah asnjëherë bashkëshorten time! Çfarë do të thonë nëse ndihmoj bashkëshorten time në punët e shtëpisë! Çfarë do të thonë nëse e dinë se unë lutem e shpall të vërtetën e Ungjillit, jo vetëm në Kishë! Çfarë do të thonë nëse më shohin teksa përshëndes të krishterë të tjerë kur i shoh në rrugë! Çfarë do të thonë nëse unë nuk përfitoj nga situata edhe kur mundem!...

            Me fjalë të tjera, në muajin janar kemi marrë në konsideratë takimin si diçka tepër të rëndësishme dhe pasuruese. Takimi mes breznive të ndryshme, takimi mes grupeve të përkatësive të ndryshme, mes traditave të ndryshme fetare… pikërisht me këtë shpirt e kemi celebruar javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve ( 18 – 25 janar ) në Kishën e Shën Pjetrit. Nëse e kemi vënë re, kjo ishte edhe ecja të cilën priftërinjtë na e kanë ofruar gjatë Meshës, predikimit: të mos e takosh Zotin sipas roleve… por të vesh në marrëdhënie, në kontakt personin tonë me Personin e Jezu Krishtit!
Muaji shkurt na ofron një aspekt të temës vjetore ( Të pajtohemi ): Të pajtohemi me vetveten.
Për çfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë që të takohemi me vetveten në mënyrë që të krijojmë lidhje harmonike me të tjerët. Bëhet fjalë që të kemi paqe të vërtetë në zemër, që të kemi marrëdhënie paqësore.

Përse kemi nevojë për pajtimin me vetveten? Cili është realiteti ku jetojmë ne? Mjafton të kemi pak vëmendje për të vënë re disa gjëra. P.sh në lokale asnjëherë nuk ka qetësi… përkundrazi, ka muzikë me volum të lartë… madje edhe për të folur me tjetrin gati – gati duhet të bërtasësh! Në shtëpi ose në punë, gjithmonë kemi ( ose të paktën kur ka drita ) një radio apo një televizor të ndezur! Në furgonat që bëjnë rrugën e Tiranës, Korçës… gjithmonë ka muzikë! Me fjalë të tjera: ne shumë rrallë dimë të qëndrojmë në heshtje pa thënë asgjë apo pa dëgjuar asgjë! Vini re edhe bisedat e shumta që bëjmë gjatë ditës: një pjesë e mirë e tyre janë të kota ose boshe: kemi një të folur përsëritëse mbi politikën, mbi mënyrën se “si shkon jeta”, mbi faktin se “s’kemi drita…”, mbi idenë se “politikanët janë të gjithë të korruptuar…” biseda këto që në të vërtetë s’na interesojnë aspak dhe që s’do të mund të ndryshojnë kurrë! Gjithçka e thashë për të kuptuar se, në mënyrë të pavetëdijshme situata jonë e brendshme është tepër e copëtuar. Kjo situatë nuk na lejon të hyjmë në marrëdhënie ( të vërteta ) me vetveten: kjo është gjithçka që kemi parë në muajin janar, ndaj nuk jemi ne ato që udhëheqim e drejtojmë mendimet e zgjedhjet tona, madje nuk janë as bindjet tona dhe as besimi ynë, por është mendimi i të tjerëve.

Situata jonë e brendshme, e copëtuar, nuk na lejon që të rrimë vetëm dhe ta dëgjojmë brendësinë tonë! Nuk na lejon të punojmë me brendësinë tonë. Nuk na lejon të kuptohemi: bën që të jemi gjithmonë jashtë vetes sonë! Nuk na jep thellësinë e mendimit. Nuk na jep mendim të lirë e kritik, por një mendim të mbytur e të influencuar nga mendimi i të tjerëve! Nuk na e jep mundësinë që të zbulojmë brenda nesh pasurinë dhe burimet për të qenë njerëz të rinj me mendime e zgjedhje personale. Kjo situatë që përjetojmë ne, një situatë me brendshmëri të copëtuar nuk na lejon të takohemi me talentet e dhuntitë që na ka dhënë Zoti, ndaj brenda nesh lind dhe rritet ndjenja e mosbesimit, vlerësimi i ulët i vetvetes, pasiviteti dhe presim që orientimet e zgjidhjet të vinë nga jashtë! Në këtë pikë dëshiroj të përmend vetëm një fakt të historisë shqiptare, pa e prekur ndjeshmërinë e askujt. Shqipëria, ashtu sikurse edhe shumë vende të tjera, ka jetuar në komunizëm, ka patur luftëra, vuajtje, varfëri… Por, përse populli ynë ( ne ) po ndesh kaq shumë vështirësi dhe rezistenca, të cilët shumë popuj të tjerë që kanë patur të njëjtën ecje me ne nuk i kanë ndeshur? Pikërisht këtu qëndron edhe problemi ynë! Përjetojmë një situatë të copëtuar shpirtërore: jemi të shkatërruar brenda! Në këtë rast zgjidhja nuk është jashtë nesh (tek paratë, puna, Bashkimi Evropian, emigrimi… ), por brenda nesh. Për këtë arsye mendoj se s’duhet të humbasim më kohë duke i kërkuar “zgjidhjet” jashtë nesh”! Një shembull i fundit. Merrni në konsideratë të gjitha aktivitetet që janë bërë në Kishë këto vitet e fundit. Çdo iniciativë para se të ndërmerrej është menduar, propozuar dhe realizuar nga një prift ose motër. Nuk kemi asnjë iniciativë të menduar, të promovuar dhe të realizuar nga një i pagëzuar! Kjo nuk është një akuzë kundër jush, por është një mënyrë për të treguar mentalitetin tonë: gjithmonë i presim iniciativat, mendimet, zgjidhjet nga jashtë… po ne ku jemi?

Përsa i përket kësaj, Ungjilltarët na kujtojnë një të vërtetë thelbësore. Mt 15,10-20: “Atëherë e grishi popullin t’i afrohej dhe i tha: “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja – ajo e bën njeriun të papastër!” Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë: “ A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?” Jezusi përgjigji: Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë. Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbërit, të dy bien në gropë. “ Atëherë Pjetri I tha: “Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë!”. Ai u përgjigji: “Si? As ju nuk e kuptoni? Po a nuk e merrni vesh se gjithçka hyn në gojë, shkon në bark e del e mbaron jashtë? Kurse ç’ka del nga goja, del nga zemra e kjo e bën njeriun të papastër. Sepse nga zemra dalin qëllimet e këqija, vrasjet, kurorëthyerjet, fëlligështia, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto e përlyejnë njeriun. Të hajë njeriu me duar të palara, kjo s’e bën njeriun të papastër

Mk 7,14-23: “Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes e i tha: ‘ Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del nga goja e njeriut – ajo e bën të papastër. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë”. Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. Ai u tha: “ Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun, sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?” Kështu Jezusi spalli të pastra të gjitha ushqimet dhe vazhdoi: “ ç’ka del prej njeriut ajo e bën të papastër, sepse brej brendësisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorë – thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. Të gjitha këto të këqia dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”
Jezusi me fjalën e shembullin e tij na na mësuar që të përkujdesemi për brendësinë, sepse ajo është burimi i gjithçkaje! Sa kohë i kushtojmë brendësisë sonë, formimit dhe orientimit të shpirtit? Le të përfitojmë për mundësitë që na ofron kisha? Formim, Meshë, Liturgjinë e orëve, Sakramentin e Pajtimit, Tërheqje Shpirtërore, Ushtrime Shpirtërore, meditim…

Cilët janë rrugët që do të na ndihmojnë gjatë këtij muaji? Do të na ndihmojnë:

  • Motoja e këtij muaji është: KTHEHU NË VETVETE… JE KISHË.
  • Përkujtimi i 10 vjetorit të shugurimit të Kishës sonë ( 2 shkurt )
  • Formim mbi temën mujore ( 3 shkurt )
  • Celebrimi i Ditës Botërore për Jetën ( 4 shkurt )
  • Prania në mesin tonë e dy seminaristëve të Shkodrës ( 8 – 11 shkurt )
  • Formim Biblik mbi mrekullitë e Jezusit ( 10 shkurt )
  • Celebrimi i ditës së 15 Botërore të të Sëmurit( 11 shkurt ) dhe dëshmia e një personazhi të veçantë!
  • Fillimi i Kohës së Kreshmeve me Celebrimin e së “Mërkurës së Përhime” ( 21 shkur )
  • Celebrimi i “Udhës së Kryqit” ( 23 shkurt )
  • Formimi Baritor ( 24 shkurt )
  • E Diela e I e Kreshmes ( 25 shkurt )

TAKIME TË MUAJIT SHKURT 2007

Kisha “Shën Piu X “ Çdo ditë: Mëngjesorja në orën 6,30.
                                   Çdo ditë. Mesha e Shenjtë në orën 6, 45
                                    Çdo të enjte. Mesha e Shenjtë në orën 18°°
                                    Çdo të dielë. Mesha e Shenjtë në orën 10°°
                                    Çdo të dielë Lutja e Mbrëmësores në orën 17°°
                                   

Kisha Shën Pjetri”. Çdo të hënë. Rruzarja e Shenjtë në orën 15°°.

 

1 shkurt, e enjte: ora 16,00 Formim nga Don Dorjan Mjeshtri, për bashkësinë e krishterë në përgatitje për 2 shkurtin. Më pas në orën 18°° Mesha e Shenjtë.
2 shkurt, e premte: 10 vjetori i shugurimit të Kishës sonë: ora 16°° Mesha e Shenjtë, ora 17°° Dëshmia e disa priftërinjve e motrave, shoqëruar nga disa këngë të Fatbardha Topuzit dhe Mësuesit Riza Zdrava. Pasohet më vonë me koktejl në sallën e oratorit.
3 shkurt, e shtunë: Formim mbi temën Mujore: “Të pajtohemi me vetveten” Pranë Motrave të Shenjtës Xhovana Antida ( Ora 15°° ); Domenicane ( ora 15:30 ); Baziliane ( ora 16°° ); Nënë Terezës ( ora 16°° ).
4 shkurt, e Diela V gjatë  Vitit C. Dita e 29 Botërore për Jetën. Ora 10°° Mesha e Shenjtë në Kishën “Shën Piu X “. Ora 11°° Formim mbi lexuesit. Në orën 17°° Mbrëmësorja.
8 shkurt, e enjte: ora 18°°, Mesha e Shenjtë në Kishën “Shën Piu X” për të mikpritur 11 seminaristët dhe rektorin e Seminarit të Shkodrës.
10 shkurt, e shtunë, ora 16°°. Formim Biblik pranë Kishës “Shën Piu X”.
11 shkurt, e Diela e VI e Kohës së Rregullt Viti C: ora 10°° Mesha e Shenjtë në Kishën “Shën Piu X”.  Dita e 15 Botërore e të Sëmurit. Në orën 17°° Lutja Mbrëmësores.
18 shkurt, e Diela VII e Kohës së Rregullt Viti C: ora 10°° Mesha e Shenjtë në Kishën “Shën Piu X”. Në orën 17°° Lutja e Mbrëmësores.
21 shkurt, e Mërkura e Përhime. Ora 16°° celebrimi i Meshës së Shenjtë dhe vendosja e hirit. Mesha në Kishën “Shën Piu X”.
23 shkurt, e premte. Ora 16°° Udha e Kryqit
24 shkurt, e shtunë. Ora 16°° Formim Baritor pranë Kishës “Shën Piu X”
25 shkurt, e Diela e I e Kreshmes, Viti C: ora 10°° Mesha e Shenjtë në Kishën “Shën Piu X”. Ora 17°° Lutja Mbrëmësore.

 

** Çdo të dielë: Formim për Katekumenët. Kisha “Shën Piu X” ora 11°° ( Pas Meshës së Shenjtë. )